‘9 Marsi’

Zgjohet në mëngjes herët për të mbaruar punët e një dite më parë. Ndërkohë që i duhet të zgjojë fëmijët për t’i përgatitur për shkollë, fillon të përgatisë mëngjesin.

Maratona sapo ka filluar.

Zhurmë, rrëmujë dhe nxitim që karakterizon çdo mëngjes të një nëne shqiptare…

Ky është 9 Marsi, ky është dhe 10-11-12 Marsi i zakonshëm i shumë familjeve shqiptare sot. Ky ndoshta është 9 Marsi i shumë grave në botë, por ne na intereson “kopshti” ynë. A nuk na e dha Zoti kopshtin Botë, për ta kthyer në parajsë? A nuk na krijoi mashkull-femër për të plotësuar njëri-tjetrin? E pra, sot femra shqiptare ka nevojë për më shumë dashuri, përkujdesje, delikatesë, ndihmë e mirëkuptim.

Nëna është krijesa më e bukur e krijuar nga Zoti. Më e mëshirshmja, më e dashura, më sakrifikuesja. “Parajsa është nën këmbët e nënës”, thotë Profeti. Sa më shumë ta respektosh e ta duash atë, aq më shumë i je afruar parajsës.

Pranë parajsës është edhe bashkëshorti i mirë. “Më i miri prej jush është ai që sillet mirë me bashkëshorten e tij”, thotë përsëri Ai që theu tabutë; e lavdëroi femrën si nënë, si vajzë, si bashkëshorte, doli me vajzën mbi supe, i dha të drejta të plota gruas, e lavdëroi atë që sillet i ndjeshëm ndaj gruas dhe mallkoi atë që e keqtrajton atë.

Ai dhe feja e Tij, i dha të drejtë prone, të drejtë mendimi e administrimi gruas plot 1 400 vite më parë. Ai është Muhamedi a.s., i keqkuptuari i kohës.

Ka plot prej ndjekësve të Muhamedit që nuk e respektojnë gruan. E kjo vjen veç prej mosnjohjes së njeriut të madh, të sjellshëm e shumë të ndjeshëm ndaj të dobtëve.

Ndjekësi i vërtetë i Muhamedit a.s., e arsimon dhe edukon vajzën e tij, e ndan pronën me motrën e tij, e ndihmon bashkëshorten e tij.

Besimtari, jo vetëm që nuk vë dorë mbi krijesën engjëllore nënë, bashkëshorte, vajzë apo motër, por ai e ruan me kujdes këtë dhuratë të çmuar, të kristaltë.
Delikatesa dhe sjellja e një besimtari të vërtetë ndaj femrës duhet të jetë shembull për gjithë njerëzimin.

Vetëm në Shqipëri ka mbi 2 000 gra nën urdhër mbrojtjeje nga dhuna e burrave. Me qindra e mijëra femra të tjera shqiptare kanë ndroje të shprehen, të klithin, të flasin.

Prandaj, mendoj se sot, ne burrat duhet të dalim e të jemi në aksion kundër kësaj sjelljeje ndaj gruas. Sot më 8 Mars, ne duhet të protestojmë kundër vetvetes, për t’i dhënë fund dhunës ndaj gruas. Sot duhet të rikujtojmë se rruga më e mirë për të parandaluar dhunën ndaj gruas dhe ndërgjegjësimit për të qenë të mirësjellshëm ndaj saj, duhet të nisë që në gjenezë; në edukimin e fëmijëve tanë me frymën e besimit, dashurisë e tolerancës.

Duhet t’i themi “jo”, dokeve ku keqtrajtohet gruaja.

Këtë kërkon feja, këtë kërkon atdhedashuria, këtë kërkojnë vlerat universale.

Merr një trëndafil miku im dhe çoja nënës, gruas, motrës e vajzës dhe kërkoi falje që s’ia dimë vlerën dhe thuaji gëzuar, por vetëm duke i premtuar trajtimin siç i ka hije.

Gazmend Aga, Nënkryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë

You must be logged in to post a comment Login