30 ditët e Ramazanit

Po vijnë ditë që dallohen nga të tjerat dhe nuk janë një apo dy, por plot 30 të njëpasnjëshme, të cilat i pret me shumë mall e gëzim e gjithë bota islame. Janë ditët e bekuara të muajit të mëshirës, të faljes e të amnistisë.

Janë ditët e një muaji, që lartësohet e nderohet në mesin e 12 muajve, për shkak të specifikave, karakteristikave, ngjarjeve dhe simbolikave që e bëjnë të veçantë. Janë ditët e muajit të begatë të Ramazanit. Ardhja e tyre përjetohet për çdo vit me emocione e dëshirë të madhe nga të gjithë besimtarët myslimanë, kudo ku jetojnë përqark globit, pasi mundësitë që ofrojnë këto ditë janë të arta e të pazëvendësueshme.

Përgjatë 30 ditëve të Ramazanit, nëpërmjet agjërimit, gjithashtu nëpërmjet shtimit të adhurimeve, që janë specifike në këtë muaj, si: namazi i teravive, shtrimi i iftareve, shtimi i lutjeve, myslimani synon të arrijë gradën më të lartë të devotshmërisë, të mos mbetet thjesht gjallesë tokësore, por të ngrihet e të lartësohet, që fjalët e tij të kenë fuqi të depërtojnë nëpër katet qiellore e të dëgjohen te lartmadhëria hyjnore, te Zoti i Gjithëpushtetshëm.

Ditët e Ramazanit janë ditë plot gjallëri dhe aktivitet të larmishëm dedikuar besimtarëve. Janë ditë ku njeriu i largohet monotonisë së ditëve normale dhe i dorëzohet një sistemi rregullash e ritesh, që shërbejnë dhe kontribuojnë në disiplinimin e tij, nëpërmjet të ngrënit në orare fikse, si dhe lëvizjeve e veprimeve të paracaktuara.

Ditët e Ramazanit janë ditë, të cilat, sa më shumë kalojnë, aq më shumë të bëjnë për vete, aq sa dëshiron të mos mbarojnë kurrë, pasi qetësia shpirtërore që mbizotëron përgjatë tyre, është një ndjenjë për të cilën shumë njerëz, që vuajnë nga stresi e depresioni, ankthi e pasiguria shpirtërore, do të paguanin shuma të konsiderueshme parash për ta përjetuar atë.

Ditët e Ramazanit janë ditë për të cilat agjëruesi planifikon shumë kohë përpara se të mbërrijnë dhe mezi pret çastin e nisjes së tyre, me qëllim që të realizojë ato pika kyçe, që ia ka bërë obligim vetes. Janë ditë ku gjithkush vendos për ta sfiduar veten e për ta privuar atë nga shumë të mira, të cilat i shijon lirshëm jashtë Ramazanit, dhe një ndër qëllimet primare që ka, është të forcojë lidhjen e tij me Atë që e sjell vit për vit Ramazanin, me gjithë ofertat e tij, Allahun, të vetmin Zot që meriton me të drejtë të gjitha adhurimet e lutjet, nderimet e përkushtimin e krijesës më të dalluar në faqen e dheut.

Ditët e Ramazanit janë një mundësi më shumë për çdo mëkatar, që ai të pastrohet nga gjynahet, të cilat mund ta kenë njollosur zemrën e tij apo mund ta kenë ndryshkur atë. Aroma e këtyre ditëve ka filluar të ndihet, e me ardhjen e tyre shtëpitë tona do të gjallërohen edhe më tepër nga mysafiri (muaji i Ramazanit) i dërguar nga Allahu; do të rigjallërohen e do të karikohen me energji pozitive shpirti e zemra, edhe pse ndoshta trupi mund të ndjejë pak plogështi.

Nëse në muajt e tjerë i kemi kushtuar ndoshta më shumë rëndësi trupores sesa shpirtërores, në këtë muaj besimtari i jep prioritet të dytës më shumë se të parës, pasi një zemër e vdekur kot qëndron në një trup të gjallë.

Për plot 30 ditë, agjëruesi i ka të hapura të gjitha portat e bereqetit, për të marrë e për t’u pajisur me çfarë i nevojitet për një vit të tërë. Besimtari është më i gatshëm për të komunikuar më shpesh dhe më i vendosur me Krijuesin e tij, për t’ia qarë hallet e problemet dhe për të kërkuar zgjidhje për to.

Janë 30 ditë, ku duhet të bëjmë gjithçka është e mundur, pse jo edhe të pamundur, për t’i kërkuar Zotit që të derdhë mbi ne mëshirën e faljen e Tij, për të gjitha ato lëshime e shkelje rregullash nga ana jonë, që nga fundi i Ramazanit të vitit të kaluar.

Ramazani është edhe muaji i tubimit, ku gjatë tij ne takohemi me vëllezër e motra në Islam, me të cilët nuk na ka rënë rasti të shihemi gjatë muajve të tjerë. Janë iftaret që na bashkojnë, si dhe namazi karakteristik i këtij muaji, ai i teravive. Është muaji i vëllazërimit, pasi në të njihemi edhe me miq të rinj, por edhe forcojmë lidhjet me ata që kemi, si dhe i rregullojmë me ata që jemi ftohur disi, dhe ja ku vjen ky muaj, për t’na dhënë një shtysë për të shtrirë dorën e pajtimit dhe të paqes.

Netët e begata të këtij muaji nuk i ngjajnë aspak të tjerave jashtë tij. Përgjatë tyre, dritat në shtëpitë e besimtarëve nuk qëndrojnë gjithë kohën fikur, dhe e gjithë nata nuk është për gjumë, ashtu siç mund të ketë qenë deri në fillimin e Ramazanit. Këto net karakterizohen nga leximi e këndimi i Kur’anit, falja e namazit të natës, përgatitja për syfyr dhe ngrënia e tij, përmendja e Zotit dhe vetmia në qetësi, ku valët e frekuencat e komunikimit midis robit dhe Zotit janë të pastra dhe nuk ka fare interferencë, apo valë të tjera, që ndërhyjnë, sepse sinjali është i pastër dhe mesazhet e kërkuesit ngjiten e transmetohen qartë nëpër qiej.

Fjalët për të përshkruar si duhet vlerën dhe rëndësinë e këtyre ditëve nuk kanë të mbaruar dhe nuk mjaftojnë kurrë, pasi ato çfarë sjellin këto ditë janë të pambarimta.

Hëna e Ramazanit ka marrë udhëtimin drejt nesh dhe shumë shpejt do të shfaqet në qiellin e dynjasë për të lajmëruar ardhjen e muajit fatlum.

Kush ka nevojë për falje e mëshirë, ta dijë se muaji i Ramazanit po vjen, kështu që le ta shfrytëzojë atë. Kush synon Xhenetin dhe shpëtimin nga Xhehenemi, ta dijë se Ramazani mund t’ia plotësojë këtë qëllim e mund ta shpëtojë njëherë e përgjithmonë nga vuajtjet e një zjarri flakërues.

Qoftë një muaj i mbarë e i pranuar për çdo punë e adhurim që do të bëjmë gjatë tij. Sjelltë gëzim e harmoni në çdo vatër, që do t’i hapë portën e saj, e në çdo sofër që do të shtrohet për të.

 Qani Sulku

/Revista “Drita Islame” – maj 2017/

You must be logged in to post a comment Login