Hafiz Teufik Efendi Nahi (1917-2006)

Hafiz Teufik Nahi, është një hoxhë gjakovar, në Kajro, Egjipt, ka qenë pedagog, akademik, shkrimtar, atdhetar…

Sa herë që diktatori i ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, e vizitonte Egjiptin, hoxha atdhetar, çdo herë arrestohej, derisa “shoku” Tito nga Egjipti – largohej. 

Drita Islame 51-46Prejardhja familjare

Hafiz Teufik ef. Nahi rrjedh prej një familje të shquar gjakovare, e cila i përket fisit Krasniq, që dha personalitete të njohura jo vetëm në përmasa kombëtare, por edhe ndërkombëtare, siç ishin babai i tij, Myderriz Islam ef. Nahi, dhe vëllai i tij, Myderriz Hasan Efendi Nahi, përkthyesi i Kur’anit në gjuhën shqipe (1905- 1991).

Hafiz Teufik Nahi është djali i dytë i myderrizit të madh, Islam efendi Nahi, dijetarit të shquar të Medresesë së Madhe të Gjakovës, që i dha dritë krejt Kosovës.

Myderriz islam efendi Nahi është djali i Mulla Jahja efendiut, një burrë i respektuar në Gjakovë e Malësi, i cili në pleqëri shkoi në haxhillëk, në Qabe, dhe duke u kthyer në vendlindje ka ndrrue jetë në Siri, ku është varrosur. Ai kishte katër djem: Salihun, Islamin, Ahmetin dhe Sadikun. Prej tyre, i madhi dhe i vogli, Salihu dhe Sadiku kanë qenë terzi (rrobaqepës), Ahmeti është marrë me tregti, ndërsa Islami me dituri.

Islami, babai i Hafiz Teufik ef. Nahit, pasi kreu mësimet fillestare dhe Medresenë në Gjakovë, vazhdoi studimet në Stamboll dhe pas diplomimit kthehet në Gjakovë, ku shërbeu si myderriz në Medresen e Madhe të Gjakovës, prej vitit 1920 deri më 1930. Meqë ishte i përkushtuar ndaj sintaksës së gjuhës arabe, nxënësit, më vonë edhe hoxhallarët, filluan ta thërrasin myderrizi i Nahit, hoxha i Nahit, kështu me kalim kohe, Nahi i mbeti edhe mbiemri.

Nëna e Hafiz Teufik ef. Nahit quhej Xhemile, një zonjë e devotshme, e ditur, e ndritur, këndonte bukur Kur’anin, e dinte gati të tërin përmendësh. Ishte një nga gratë më të ditura në Gjakovë. Nënë Xhemilja është motra e Mulla Hamdi Dolit (1897-1994), nëna Xhemile, është bija e Mulla Bajram Dolit.

Mulla Bajram Doli, sipas myderrizëve të vjetër, tregohej se ka qenë një kaligraf i shquar i literaturës së vjetër orientale.

Librat e rrallë dhe ndonjë që ishte unik, sipas porosive të ulemave të Gjakovës, të Kosovës e përtej, Mulla Bajrami i përshkruante me shkrim artistik, i lidhte, i qepte dhe i bënte kopertinat, duke ndjerë kënaqësi të veçantë. Kjo dëshmon sa ai ka qenë dashamir i librit, i diturisë, sikur ishin ulematë që bënin porosi të vazhdueshme. Kjo tregon se në Gjakovë ka pasur respekt për librin, për diturinë.

Kështu edhe daja i Hafiz Teufik ef. Nahit, Mulla Hamdi Efendi Doli e kaloi jetën mbi libra, duke i pastruar, faqe për faqe, duke i paluar, duke i lidhur me një pasion të veçantë. Dhe më në fund , kur libri ishte gati, askush nuk besonte se ishte libri i tij. I thonin: “Mulla Hamdi , librin e paske bo si nuse!”

Daja i Hafiz Teufik ef. Nahit, Mulla Hamdi Doli, më tepër ka qenë i njohur për zanatin që praktikonte në shtëpinë e tij, ishte libërlidhës. Këtë profesion të rrallë e trashëgoi nga i ati, Mulla Bajrami.

Mulla Hamdiu, daja i Hafiz Teufik ef. Nahit, ishte mjeshtër i madh si libralidhës, i vetmi në Gjakovë. Veglat me të cilat punonte ishin të vjetra dhe shumë interesante t’i shihje…

Interesante ishte edhe jeta e Mulla Hamdiut; ishte tepër modest, dukej dhe jetonte si asket. Kështu jetoi deri sa i mbylli sytë më 20 dhjetor 1994, në Gjakovë, në moshën 97 vjeçare.

Lindja, shkollimi, formimi dhe veprimi

Hafiz Teufik ef. Nahi lindi më 6 prill 1917, në Gjakovë. Mësimet fillestare i kreu në mejtepin e “Halil Efendisë”, në Gjakovë, ku krahas lëndëve të përditshme, brenda dy viteve, arriti të mësojë përmendësh Kur’anin e Madhnueshëm dhe e fitoi titullin e nderuem Hafiz. E vazhdoi shkollimin në Medresenë e Madhe të Gjakovës, ku diplomoi, në vitin 1938, pranë Myderrizit të madh, Hafiz Fahri ef. Iljazi (1903-1985).

Vëllai i tij më i madh, Myderrizi Hasan ef. Nahi, (1905-1991), i cili sa kishte diplomue në Universitetitn “El-Az-har” të Kajros, më 1934, duke e pa se vëllai i tij, Teufiku, ishte një djalosh shumë i zgjuar, e këshilloi, e ndihmoi, e udhëzoi, që edhe ky në Kajro të shkojë, të studiojë.

Një ditë, në vitin 1938, djaloshi 21 vjeçar, Teufik Nahi, shkon në shtëpinë e z. Beqir Malokit, në mahallën e “Haxhi Ymerit”, në Gjakovë, dhe i kërkon ndihmë, si për mahi, tue i thanë, qysh me dalë n’Shqipni?

Beqir Maloki, pasi e pyet i kujne je, çfarë pune n’Shqipni ke, dhe ky i tregoi drejtë:

“Jam djali i Myderrizit, Islam Efendi Nahit, po kam dëshirë me shkue n’Shqipni, për me dalë n’Greqi e për n’Egjipt me vazhdue për m’u shkollue…”

Atëherë, Beqir Maloki i tha:“Babën po ta ngjoh, ma t’mirë burrë, jo Gjakova, por nashta as Kosova s’e ka, njashtu e ke edhe vëllain, Hasanin, edhe ti insha’Allah, ju ke n’gja. Tash, po t’thom nër sy, mos baj dert se kjo punë u kry…!

Beqir Maloki (1892-1985), i cili ishte një burrë i rrym me këto punë, e thirri një djalë trim, besnik, nga një katund afër kufinit, i cili e përcolli Teufik Nahin, hoxhën e ri, pa’ i’ therrë n’komë, deri në n’kufi, derisa hyni n’Shqipni…

Teufik Nahi, përmes Shqipnisë, Greqisë, nëpër Detin Egje, nëpër Detin Mesdhe, arriti në Aleksandri dhe më në fund në Kajro. Pa humbur kohë, me shumë dëshirë, me shumë vullnet u regjistrua në Fakultet, në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e famshëm El-Az’har, në Kajro, Egjipt.

Në këtë fakultet, në këtë Universitet, studenti nga Gjakova, Teufik Nahi, ishte ndër më të zgjuarit, ndër më të dalluarit, ndër më të shquarit, derisa diplomoi në vitin 1948.

Pasi diplomoi, brenda dy vjetëve, edhe një titull e fitoi, titullin: Gjykatës i Drejtësisë Islame.

Në vitin 1951, duke i parë aftësitë e tij, emërohet pedagog në Universitetin El-Az-har, ku punoi me përkushtim, me devotshmëri, duke u bë shëmbëlltyrë në Universitet për çdo njeri…

Pas gjashtë viteve shërbimi, kërkohet, ftohet dhe dërgohet si pedagog në Algjeri, 1967-1969. Pas dy viteve shërbimi, kërkohet, ftohet dhe dërgohet pedagog në Somali., 1969-1972. Pas tri vjetësh shërbimi në Egjipt, kërkohet, ftohet dhe dërgohet si pedagog në Arabi, ku si gjithnjë, shërbeu me nder, me devotshmëri, 1975-1978.

Në vitin 1978, Hafiz Teufik Nahi, pas 11-të vjetësh shërbimi me përkushtim , me devotshmëri, në Algjeri, Somali dhe në Arabi kthehet sërish në Kajro, ku menjëherë emërohet këshilltar i Ministrit të Vakëfeve të Egjiptit, për katër vjet të plota, deri më 1982, kur, ky burrë i çmuar, doli me nderë në pension të merituar.

Hafiz Teufiku, përveç veprimtarisë aq të frytshme arsimore, edukative, pedagogjike, në Afrikë e Azi, ai kurrë nuk e harroi Kosovën e Nanën Shqipni.

Është një nga shqiptarët e parë, që me shkrimet e tij profesionale, iu ka kundërvue komunizmit, ka shkrue në vazhdimësi për gjendjen e mjerueshme të Kosovës, të shqiptarëve në ish-Jugosllavi dhe në Shqipni.

Në shtypin egjiptian dhe të Lindjes së Mesme, në radio e televizion, Hafiz Teufiku ka informue ndër vite në vazhdimësi me argumente rreth situatës në Kosovë, për padrejtësitë, persekutimet, krimet, shpërnguljet, burgosjet, dënimet, vrasjet, dhunimet që iu bëheshin shqiptarëve, ndër vite, në ish-Jugosllavinë komuniste-titiste.

Për këtë arsye, sa herë që diktatori i ish-Jugosllavisë, Josip Broz Tito, e vizitonte Egjiptin, hafizi atdhetar, çdo herë arrestohej, derisa “shoku” Tito nga Egjipti – largohej.

Ka shkrue në gjuhën arabe shumë punime, studime, vepra në fusha të ndryshme: fetare, letrare, juridike, politike historike.

Për shkak të veprimtarisë së tij fetare-atdhetare, nacionaliste-antikomuniste, dy qeveritë, jugosllave-titiste dhe shqiptare-komuniste-enveriste, nuk e lejuan asnjëherë të vizitonte vendlindjen, Gjakovën, as Kosovën. Çka është edhe më keq, nuk e lejuan as komunistët shqiptarë faqezi me e pa veç një herë, siç thoshte, Nonën Shqipni.

Hafiz Teufik Nahi ndërroi jetë më 9 janar 2006, në moshën 89 vjeçare, në Kajro, Egjipt, në mërgim; u nda nga kjo jetë e përkohshme tokësore, por aty u varros me nderime madhështore.

Mexhid Yvejsi, Gjakovë

You must be logged in to post a comment Login