23 vjet “Drita Islame”

Mire se vjen Drita ISLAME“Drita Islame”, e themeluar më 1992, nisi misionin e saj pas një periudhe të gjatë zbrazëtie mediatike të Islamit, në një panoramë jetike ku regjimi komunist pothuajse kishte shfarosur gjithçka. Më 7 tetor 1991, Haxhi Hafiz Sabri Koçi, i drejtohej Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sporteve me një shkresë ku mes të tjerash, i kërkon të mundësojë botimin e një gazete. Kështu, në janar të vitit 1992, gazeta e parë islame pa dritën e botimit, duke çelur një dritare të re për besimtarët myslimanë. Në numrin e saj të parë u botua edhe përshëndetja e kryetarit të Komunitetit Mysliman të asaj kohe, H. Hafiz Sabri Koçi me titull: “Mirë se na erdhe, Drita Islame!”. Ai i uronte mirëseardhjen gazetës me këto fjalë: “Mirë se na erdhe, o Drita Islame, që për afro gjysmë shekulli mjegulla e retë e kohës penguan rrezet tuaja që të shihnin qartë jetën tonë e të na ndriçonin shpirtrat! Mirë se na erdhe, o rreze e syve të shpirtrave tanë, që po na ndriçon të gjejmë rrugën e vërtetë morale nëpër një tokë të lënë djerr e të mbushur plot me gjemba.”

Që në zanafillë të saj gazeta ka pasur si mision që të përçojë, në radhë të parë, të vërtetat e Islamit, rregullat dhe dispozitat kur’anore, vlerat e fjalëve, moralit dhe karakterit profetik, të promovojë e të hedhë dritë mbi figurat e personalitetet e pendës dhe të kulturës islame në Shqipëri, duke pasqyruar veprimtarinë dhe jetën kulturore e fetare në të gjithë vendin.

Ky organ mediatik do të bëhej shumë shpejt tribunë e mendimit intelektual islam. Në faqet e saj është pasqyruar qartë ideja e harmonisë dhe mirëkuptimit, ndërsa interesat kombëtare kanë dalë përherë në pah dhe janë lidhur ngushtë me identitetin kombëtar, duke mbrojtur interesat e të gjithë shqiptarëve brenda dhe jashtë kufijve shtetërorë.

Vlen të përmendet kontributi i jashtëzakonshëm i intelektualëve myslimanë për shkrimet e tyre me vlerë dhe sidomos puna ndër vite e zotërinjve: Ismail Muçej (kryeredaktori i parë), Nasuf Dizdari, Ali Hoxha, Faik Kasollja, Shaban Vani, Dritan Basha, Hektor Saliaj, Ervin Hatibi (kryeredaktor), Redin Quku, Bledar Myftari, Ermir Gjinishi, Agron Hoxha (kryeredaktor & drejtor), Genti Kruja (drejtor), Ali Zaimi, Haxhi Lika, FeritLika, e shumë bashkëpunëtorë dhe korrespondentë nga vendi dhe bota, të cilët do të jepnin kontributin e tyre, që “Drita Islame” të vazhdonte rrugën dhe misionin e saj.

Në janar 2012, “Drita Islame” erdhi para lexuesit në formatin e revistës. Ajo pësoi ndryshime të dukshme si rrjedhojë e dinamikës dhe kërkesave të kohës, kurse faqet e saj u pasuruan me tema të larmishme dhe me emra të rinj vullnetmirë për të kontribuar në të mirë të saj.

Duke ditur rëndësinë e kësaj gazete, Redaksia bëri një punë voluminoze dhe të vyer, duke grumbulluar të gjitha materialet e gazetës në një botim të veçantë të titulluar “Bibliografia e gazetës Drita Islame (1992-2011)”, ku janë përfshirë 347 numra. Bibliografia është hartuar në mënyrë kronologjike, ku si bazë është marrë numri i parë i daljes së gazetës.

Një tjetër projekt i finalizuar tashmë dhe që vazhdon punën e tij me gjithë seriozitetin e mundshëm dhe të nevojshëm është hapja e faqes online www.dritaislame.al, e cila rifreskohet çdo ditë me materiale të reja, kronika e informacione për të qenë sa më pranë nevojave të lexuesit.

“Drita Islame” është e të gjithëve dhe vetëm bashkërisht do të bëjmë të mundur të ndriçojë me ndriçimin e saj të vërtetë. Jemi të vetëdijshëm se kapitali i vetëm i revistës është lexuesi i saj. Prandaj edhe ne, në 23-tin vit të botimit të daljes së numrit të parë, falënderojmë të gjithë lexuesit në çdo cep të Shqipërisë dhe përtej saj, të cilët asnjëherë nuk na braktisën.

Redaksia

You must be logged in to post a comment Login