21 vjet nga rihapja e xhamisë së parë në Shqipëri

Një nga objektet më të vjetra të kultit islam në vendin tonë është xhamia e Plumbit. Ajo u ndërtua 238 vjet më parë, buzë Drinit, rrëzë kështjellës së “Rozafatit” në Shkodër.

Një verset i Kuranit thotë: “Ai (Allahu) ngjall të vdekurin dhe përtërin tokën mbasi të jetë bërë shkrumb”. Na u kujtuan këto fjalë në këto ditë nëntori, kur pas 23 vjet heshtje, u rihap xhamia e parë, që sinjalizoi rikthimin e besimit në jetën e shqiptarëve të përvuajtur.

Në ato ditë shumë besimtarë të moshave të ndryshme filluan punën për pastrimin e ferrave e të mbeturinave të grumbulluara për afro një çerek shekulli. Ndonëse ka qenë monument kulture dhe si e tillë duhej mbrojtur nga shteti, ndaj saj nuk u tregua asnjë kujdes, përveç grabitjes dhe zhveshjes nga plumbi.

Njerëzit punuan me shumë entuziazëm. E veçanta ishte se në kryerjen e kësaj pune ndihmuan edhe përfaqësues të besimit katolik dhe ortodoks të qytetit. Mbizotëroi, pra, fryma e bashkëpunimit, respekti dhe vlerësimi për besimin dhe vlerat e njëri-tjetrit.

 Më 16 nëntor 1990 u zhvillua ceremonia e rihapjes së saj në praninë e 50 mijë vetave, të ardhur jo vetëm nga qyteti, po edhe nga fshatrat. Në fjalën e hapjes, hirësia e tij Haxhi Hafiz Sabri Koçi, kryetar i Bashkësisë Islame të Shqipërisë, vuri në dukje nevojën e ushtrimit të fesë nga çdo njeri e në çdo kohë. Ai pasi falënderoi Zotin për mirësitë e Tij të panumërta, vlerësoi lart mundin dhe përpjekjet e të gjithë atyre që ndihmuan në rikthimin e xhamisë në gjendjen e saj  funksionale.

 Hapja e xhamisë së Plumbit ishte shkëndija e parë që dha sinjalin fatlum se Islami jo vetëm që nuk ish harruar, por vazhdonte të ishte i gjallë e i freskët në zemrat e kreshnikëve shqiptarë.     

Xhamia e Plumbit në Shkodër u hap më 16 nëntor 1990 e sot më 16 nëntor 2011 mbushen plot 21 vjet.

/Drita Islame/

 

 

 


 

Gëzim i madh sot në Ajasem…

 Gjashtmbdhjet nandor, nandtqind nandhjet,

T’kjofsha flaë Zot i vërtetë,

Ty o Zot të kjofsha falë

Ç’janë këta njerëz që valë-valë,

Valë mbas vale për pa u ndalë,

Mbas kalas sot po vërshojnë,

Në Ajasëm t’gjith po shkojnë,

Në Ajasëm n’at shpat kodret

Turma-turma vijnë prej Shkodret.

-Aman, Zanë ti po më thue

Më shpjego sokoleshë mue:

Kaq shumë nisë janë për Ajasëm?

-S’janë dasmorë aq krushq nisë n’dasëm

Janë shkodranë që shkojnë n’Ajasëm

Dhe në shpirtë të gjith gzim kanë,

Të krishterë e muslimanë.

Të gjith bashk kanë kontribue,

Shkojnë n’Ajasëm pse janë vëllazën,

U rreh zemra t’gjithve në parzëm.

Për kët dit që sot ka ardhë,

Ditë e lumtur, ditë e bardhë,

Po vlon gëzimi dhe hareja,

Në Shqypni asht lirue feja:

Ktu n’Ajasëm në breg t’lumit

Asht rihapë xhamia Plumit.

Një gja t’bukur m’kan tregue

Vëllaznit tanë ku kan mërgue

N’Amerikë të gjith Shqiptartë,

Amanet si na lanë t’partë:

Vllazën na gjithmonë me kenë,

Muslimanë edhe t’krishtenë,

N’Amerikë kështu kanë veprue:

Xhami e kisha me ndërtue.

Kështu po bajmë dhe na ktu sot

Dhe do bajmë na mot për mot

Me u vëllaznue na për një mend,

Me përça mos me lanë kënd.

Shqypnin kem me përparue

N’kjoft se kështu kem me vazhdue,

Gjithmonë t’huejt na kanë përça

Tuj na than turq, kaur e shkja.

S’jem turq, kaur e shkje

Dhe si burrat ju baj be

Se të gjithë jem shqyptarë,

Jem shqyptarë të zjarrt atdhetarë

Jem shqiptarë të Shqipërisë

Trashigues të Ilirisë.

Se na njerz baraz t’gjith jemi,

Zoti jon asht Perëndia

Nji të vetëm njef Shqypnija:

Ai që ne na ka krijue,

Veç ate na me besue.

 

Vargje të improvizuara nga Gjon Ljarja

You must be logged in to post a comment Login