16 nëntori 1990, datë e shënuar për myslimanët shqiptarë

Pjesëmarrësit në këtë ngjarje tregojnë se ajo ka qenë një ditë sa e gëzueshme dhe mallëngjyese, po aq e guximshme dhe e rrezikshme për të ardhmen e besimtarëve. Sipas Faik Hoxhës, ish Myftiut të Shkodrës, iniciativën e guximshme për të hapur xhaminë, për të falur namazin e ditës së xhuma, në thelb për të ripërtërirë fenë, për të rifutur të drejtën e ushtrimit të lirë të besimit fetar, e mori rinia e Shkodrës.

Kështu që, më 16 nëntor 1990, rinia e qytetit të Shkodrës, e përkrahur nga besimtarë të moshave të ndryshme, bëri thirrje për rihapjen e xhamisë së Plumbit, u thërrit Ezani dhe u fal xhumaja e parë.

Sipas kujtimeve të Myftiut Hoxha: “Mbarë populli, i udhëhequr nga Hafiz Sabri Koçi, morën rrugën nga qyteti i Shkodrës drejt Xhamisë së Plumbit, në këtë tubim ku u mblodhën rreth 55.000 pjesëmarrës nga qyteti dhe nga fshatrat.”

Rreziku ishte shumë i madh, por zemrat e besimtarëve nuk mund të rezistonin më ndalimin e praktikimit të fesë.

Besimtari shkodran, Rasim Sokoli, kujton e thotë: “Pak çaste para fillimit të ceremonisë, u kërkua që një djalë i ri duhej të hapte mitingun dhe më pas t’ia jepte fjalën Hafiz Sabriut.

Unë dola jashtë dhe aty në mes të njerëzve thirra një djalë, Ardian Isa Golemin, nipin e Haxhi Hafiz Abaz Golemit, e ftova në shtëpinë e familjes Myftia para tubimit, më pas Hafiz Sabriu, unë dhe Ardiani, hipëm në tribunë.”

Në intervistat e shumta lidhur me këtë datë Hafiz Sabriu ndër të tjera është shprehur se: Data 16 nëntor 1990 do të mbetet e paharruar në kujtesën time. E kam të freskët momentin kur u ndodha para një mitingu prej mbi 55.000 vetësh. U entuziazmova dhe m’u deshën disa çaste për të më kaluar emocionet. Nuk përshkruhet gëzimi dhe kënaqësia e asaj dite.

Një nga gazetat më të mëdha në botën arabe, El-Hilal, duke pasqyruar ngjarjet që po ndodhnin në Shqipëri, në një artikull të saj me titull “Shqipëria i kthehet fesë”, ndër të tjera kishte intervistuar Hafizi Sabriun, i cili ishte shprehur: “Gëzimi më i madh imi ka qenë më 16 nëntor…sikur linda përsëri. Kur shkova te xhamia, ç’të shihja? Ishte mbushur zi (plot) me njerëz. Vargu i tyre zgjatej deri në kala. Altoparlantët rreth e përreth. S’mund të bëje asnjë hap. Të gjithë filluan tekbiret. Brohorisnin. Masa gjithnjë e më tepër merrte flakë. Dikush u desh t’i qetësojë duke thënë se fetarisht nuk bënte kështu. Policia kishte ardhur…binin përforcime të reja. Rinia kishte vendosur që po të ishte nevoja edhe të jepnin jetën.

Kam hipur në një tribunë të ngritur për atë qëllim. Mezi e përmbajta veten dhe s’mund t’u besoja syve të mi. Thashë: A jam në mend apo s’jam!? S’kisha parë në jetën time aq të tubuar, mbi 55.000 vetë. E mora fjalën dhe mbajta një bisedë të shkurtër. E pashë veten aq të lumtur saqë nuk kisha gajle edhe sikur t’u bëja kurban (të sakrifikohesha). Nuk kishte gëzim më të madh për jetën time.

Në fjalën e mbajtur Hafiz Sabriu nuk mund të mos i përmendte ata që i shkaktuan kaq shumë vuajtje atij dhe mbarë popullit shqiptar. Por ndryshe nga komunistët terroristë, Hafizi ishte shumë zemërgjerë. Edhe pse e burgosën padrejtësisht mbi dy dekada, ai nuk kërkoi hakmarrje ndaj zullumqarëve, por u shpreh me një lutje të sinqertë: O Zot, bëj që të falimentojnë zullumqarët me zullumqarët (të padrejtët, komunistët), njëri me tjetrin, të paguajnë hakun ndërmjet tyre.

Duke përkujtuar këtë ngjarje, këtë ndodhi të madhe pas 3 viteve (1993), Ismail Muçej, ish-kryeredaktor i gazetës “Drita islame”, shprehet: “Deshi s’deshi qeveria e asaj kohe, feja u legalizua praktikisht, duke dhënë shkëndijën e parë për qytetet dhe fshatrat e tjera të Shqipërisë, të cilat filluan të hapin njëra pas tjetrës faltore.”

Kjo ishte dita e parë e lirisë së besimit, e cila për çdo vit do të kujtohet me mallëngjim nga myslimanët shqiptarë.

Jehona e asaj dite të xhuma vazhdon të përjetohet akoma edhe sot pas 27 vitesh.

/Revista ‘Drita islame’, nëntor 2017/ 

You must be logged in to post a comment Login