Sheh Shuajb Arnavuti vizitoi KMSH

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça priti sot, me 11 Korrik 2011, në një takim të veçantë, personalitetin e shquar, i njohur për kontributin e tij të madh në zhvillimin e shkencave islame e sidomos të hadithit, me origjinë shqiptare, Shejh Shuajb Arnauti. Duke i uruar mirëseardhjen, z. Muça u shpreh se është nder i madh për shqiptarët pa dallim që një bashkëkombas i tyre gëzon një respekt e vlerësim të veçantë ndër myslimanët e gjithë botës.

 

Gjatë bisedës miqësore, Kryetari Muça vlerësoi kontributin e shquar të Shejhut të nderuar në fushën e kërkimit e drejtimin shkencor, në mësimdhënie dhe pasurimin e literaturës islame. Arritjet tuaja, – u shpreh Kryetari Muça – kanë ndihmuar e influencuar për njohjen më të thellë të Islamit dhe zhvillimin e kulturës fetare ndër myslimanët. Kontributi juaj na bën krenarë të gjithëve si shqiptarë dhe myslimanë. Me punën tuaj të vazhdueshme ju i keni bërë nder të madh Islamit dhe keni ngritur lart emrin e shqiptarëve kudo që janë, si një popull që e do dhe e vlerëson dijen dhe kulturën në përgjithësi.

Gjatë bisedës H. Selim Muça e njohu Shejh Shuajb Arnautin me zhvillimet e institucionit nga viti 1991 e në vazhdim, duke vënë në dukje kontributin e Komunitetin Mysliman për ta rikthyer edhe njëherë Islamin në jetën e shqiptarëve. Si rezultat i një pune të madhe e të organizuar, sipas z. Muça, KMSH, veçanërisht vitet e fundit, ka regjistruar arritje të shumta dhe përjetuar ndryshime rrënjësore. Sa i përket infrastrukturës, janë ndërtuar xhami të reja si në qytete ashtu edhe në fshatra të thella, si dhe janë rikonstruktuar një numër mjaft i madh i objekteve të kultit që i shpëtuan reprezaljes së regjimit të kaluar. Sot kemi mjaft kuadro të përgatitur që kanë dalë nga universitetet më në zë të botës islame, të cilët janë punësuar dhe kanë fituar një pjekuri të madhe gjatë kësaj kohe në drejtimin e punëve të Islamit dhe orientimin dhe formimin e masave të gjera. Në fushën e arsimit, një vëmendje e veçantë, – theksoi z. Muça – i është kushtuar cilësisë së arsimit fetar dhe atij shkencor në përshtatje me metodat e arsimit modern. Sot në Shqipëri ekzistojnë 7 medrese për vajza dhe djem, të cilat nxjerrin elemente mjaft të përgatitur që  ndjekin me sukses universitetet më prestigjioze në botë. Ata janë jo vetëm të aftë për veten por edhe mjaft të dobishëm për familjen dhe shoqërinë.

 

Nga ana tjetër Kryetari Muça e njoftoi dijetarin e madh të Islamit për hapjen e universitetit “Bedër”, që sipas tij do të shërbejë si një institucion i rëndësishëm për gjeneratat e reja për zgjerimin e kulturës fetare dhe formimin e tyre të përgjithshëm, duke pasur parasysh se Islami apelon për dije dhe kulturë. Sipas z. Muça, ky universitet do të ketë vend jo vetëm për ata që mbarojnë studimet në Shqipëri, por edhe për shumë të tjerë nga territoret shqipfolëse e më gjerë.

Nga ana e tij Shejh Shuaj Arnauti u shpreh se kishte kënaqësi që, pas 16 vitesh nga vizita e tij e parë në Shqipëri, të shihte ndryshime të dukshme e mjaft shpresëdhënëse. Ai vlerësoi rolin e KMSH për kontributin e madh në përhapjen dhe lartësimin e fjalës islame. Hirësia e tij u shpreh se vendi i tij i lindjes ka bërë një progres që duhet vlerësuar shumë. Ai tha se ndihej krenar që shqiptarët i ishin kthyer edhe një herë Islamit dhe praktikave të kësaj feje të pastër. Sipas tij, prania e të rinjve nëpër xhamia flet për një të ardhme të sigurt për Islamin në këto troje. Por, sipas hirësisë së tij, në këtë kohë kur bota është shkëputur mjaft nga morali dhe njerëzit janë larguar prej mësimeve të fesë, kërkohet një kontribut i madh, i cili sigurisht duhet të jepet nga njerëzit e fesë. Nëse njerëzit që drejtojnë fenë janë në rregull, e tillë do të jetë edhe shoqëria me individët e saj.

Një falënderim të veçantë Shejhu i nderuar i adresoi H. Selim Muça, të cilin e përgëzoi për punën e tij në drejtimin e institucionit. Ai e cilësoi punën e z. Muça si mjaft të arrirë dhe uroi që ajo farë e hedhur nga institucioni para 20 vitesh të vazhdojë të marrë frytet e veta edhe në të ardhmen. Shejhu e përgëzoi kreun e KMSH për hapjen e universitetit islam në Shqipëri, për të cilin u shpreh se e sheh si një garanci më tepër në konsolidimin dhe forcimin e Islamit në vend.

Në fund të takimit z. Muça e falënderoi përzemërsisht dijetarin shqiptar me banim në Aman të Jordanisë për vizitën dhe mesazhet e tij të sinqerta. Duke i dhuruar një panoramë të xhamisë simbol të Islamit në Shqipëri “Et’hem Bej”, z. Muça e ftoi atë të jetë i pranishëm ditën kur do të hapë dyert për herë të parë Universiteti “Bedër”, ku ai është i mirëpritur për të dhënë leksione në Shkencat Islame.

Në këtë takim ishin të pranishëm dy nënkryetarët, z. Bujar Spahiu dhe z. Gazmend Aga, kancelari Ali Zaimi, Myftiu i Beratit, z. Murat Durra, Myftiu i Shkodrës, z. Muhamed Sytari, si dhe drejtues të lartë të KMSH-së.

Dijetari e personaliteti i madh shqiptar, shejh Shuajb Arnauti është me origjinë nga Shkodra. Prej shumë vitesh ai jeton e vepron në Aman të Jordanisë, ku ka dhënë një kontribut të madh në fushën e shkencës së Hadithit.

Puna dhe rezultatet e arritura në këtë fushë e kanë bërë shejh Shuajb Arnautin një ndër njohësit më të mirë të shekullit XX në këtë shkencë, për çka është i njohur në tërë Botën Islame e më gjerë.

 

 

_____________________________________________________

[poll id=”3″]

You must be logged in to post a comment Login