1435 vjet Hixhret…

hijri_originalKanë kaluar plot 1435 vjet nga ngjarja, që jo vetëm u shënua në histori, por që ndryshoi vetë rrjedhën e historisë njerëzore. E kam fjalën për “Hixhretin”, emigrimin e pejgamberit Muhamed a.s nga Meka në Medine. Sa herë që vjen viti i ri Hixhri, e përkujtoj atë ngjarje me krenari dhe me mall. E kujtoj me krenari ngaqë fletët e kalendarit tim, si dhe shumë prej riteve fetare që i kryej, i llogaris në bazë të asaj ngjarjeje, e cila çeli siparin e llogaritjes se ditëve, netëve, muajve dhe viteve për këdo, i cili për shembull ka atë që u dërgua nga i madhi Zot shëmbëlltyrë për mbarë njerëzimin.

E kujtoj me mall, sepse do të doja të isha edhe unë njëri prej atyre që iu bashkuan karvanit të muhaxhirëve drejt Medines.

E kujtoj me mall, sepse edhe unë do të doja të sakrifikoja ç’të mundja dhe ç’të kisha në dispozicion për të hequr çdo pengesë në këtë udhëtim pa kthim, ashtu siç vepruan besimtarët e sinqertë, të cilët e deshën me mish e me shpirt Trëndafilin e Mirësisë, Muhamed Mustafanë, si dhe e dinin fare mirë se, emigrimi për në Medine nuk ishte një tekë apo vendim njerëzor, por një shpallje e urdhër hyjnor dhe fjala e Zotit për ta nuk mund të bëhej dysh.

E kujtoj me mall ngjarjen e Hixhretit, sepse do të doja të isha në vendin e Ebu Bekrit, jo për t’i zënë vendin, por për të qenë në mbrojtje të Profetit nga rreziqet e shumta që i kanoseshin në këtë udhëtim, si dhe për të përjetuar me shumë kënaqësi pickimet e insekteve të ndryshme të shpellës Theur, të cilat nga dashuria e madhe për Muhamed Eminin i shijoi Ebu Bekër “I Sinqerti”. Edhe pse ndiente dhimbje të mëdha, bënte të pamundurën për të mos ia prishur atë dremitje të shkurtër Krijesës më të Përsosur të mbarë njerëzimit; edhe pse lotët e dhimbjes i dilnin pa kontroll nga sytë dhe rridhnin duke krijuar vija të gjata në fytyrën dhe trupin e tij, derisa trokitën në fytyrën e ndritur e të bukur të Resulullahit.

E kujtoj me mall, pasi do të doja të isha rëra dhe pluhuri që shkeli Profeti gjatë këtij udhëtimi historik, e të isha bërë rërë e butë për të mos u lënduar këmbët e bekuara të Pishtarit Ndriçues.

E kujtoj me mall sepse, edhe nëse s’do të isha prej muhaxhirëve, të paktën do të isha prej banorëve të Medinës, që ta mirëprisja ashtu siç priten miqtë më të mirë, njerëzit më të dashur. Përderisa nuk arrita dot t’i përjetoj të gjitha këto ëndrra dhe dëshira, vetes i kam vënë të tjera synime për t’i realizuar përgjatë çdo viti të ri të Hixhrit. Çdo vit mundohem të bëj hixhret, çdo vit mundohem të shpërngulem, jo nga një vend në një tjetër, por nga një punë e keqe në një të mirë, si dhe nga një punë e mirë në një më të mirë. Çdo vit mundohem të shpërngulem më pranë Allahut dhe më pranë traditës së Pejgamberit tim të dashur; çdo vit shpërngulem më pranë të vërtetës dhe më larg të kotës, më pranë dritës dhe sa më larg errësirës; çdo vit mundohem të pajisem me sa më shumë fitila dijeje, me qëllim për t’u larguar nga hijet e injorancës.

Ja ku jemi në një tjetër vit të ri Hixhri, kohë në të cilën gjithsecili prej nesh duhet të ulet me veten për të skanuar faqet e vitit që shkoi, si dhe për të lidhur marrëveshje me Zotin e tij, me të Dërguarin e tij dhe me veten e vet, që ky vit të jetë ndryshe në kolanën e viteve të jetës, që ky vit të dallohet në arkivin e kujtesës, dhe kjo nëpërmjet kthesës, nëpërmjet veprimit të së mirës dhe abandonimit të së keqes.

Nëse ende s’e ke lidhur kontratën me veten, çfarë je duke pritur akoma?! Nënshkruaje urgjent me çdo ditë të re të këtij viti të ri dhe mundohu t’i përmbahesh secilës pikë dhe nen të saj, me qëllim që edhe vitet e tjerë të jenë të kënaqur të lidhin besë me ty. A s’ke dëgjuar për prishjen e bizneseve, bashkëpunimeve, marrëdhënieve të ndryshme etj., të cilat ndodhin vetëm për shkak se nuk i përmbahen rregullave të vëna?! Po ti a dëshiron të prishësh paktin me Allahun, besën me Profetin, marrëveshjen me veten tënde? Nëse jo, hapi sytë e bëji katër. Çdo minutë të secilës ditë shfrytëzoje si të ishte e fundit për ty, por shfrytëzoje në të mirë, sepse ajo nuk kthehet më, as për mua as për ty dhe as për asnjë. Bëhu ti “Njeriu i Vitit”, jo ai që shpallin njerëzit, por ai që shpall Zoti i të gjithë njerëzve. Ti, unë dhe të gjithë që frymojmë ende, shansin e kemi, s’duhet të na ikë, siç u iku miliarda paraardhësve tanë, të cilët qajnë e vajtojnë për kohën e humbur dhe të çuar dëm në këtë dynja.

Le të përfitojmë të gjithë së bashku nga ofertat hyjnore të këtij viti, le të dëshmojë për ne dhe jo kundër nesh Ditën e Madhe të Gjykimit! Le të jetë viti i triumfit të së mirës dhe ngadhënjimit ndaj të keqes! Le të jetë viti i shuarjes së të gjitha konflikteve dhe viti i mbretërimit të paqes mbarëbotërore! Le të jetë viti, ku të mos dëgjojmë për gjakderdhje njerëzore, vit ku mos të hapen varre për burra, gra e fëmijë të pafajshëm, vit ku të mos shtohen fëmijë jetimë, gra vejusha e burra të vrarë, një vit larg vuajtjeve, larg sprovave të papërballueshme! Le të jetë një vit, ku njerëzit të duhen më shumë mes tyre, të ndihmohen e të solidarizohen me nevojat e njëri-tjetrit! Le të jetë një vit, ku të gjithë së bashku si një trup i vetëm të punojmë me sinqeritet e të kontribuojmë për të mirën e përbashkët, si dhe për përparimin e vendit! Le të jetë një vit, ku të krenohemi me të arriturat tona pozitive dhe jo me krime e korrupsion. Vetëm po të jetë një vit i tillë, atëherë do të shndërrohet në një vit kthese për një të ardhme më të ndritur për të gjithë.

Asnjë vend nuk do të ndryshojë, përderisa njerëzit nuk përpiqen për të lëvizur rrotat e ndryshimit, kështu që, le të përpiqemi në të gjitha fushat dhe lëmitë: me një arsim më cilësor, me një shërbim mjekësor më të përkushtuar e më human, me një siguri më të garantuar, me përgjegjësi më të përmbushura, me amanete të çuara në vend, me një edukatë dhe moral të lartë, si dhe me një mirëqenie më shpresëdhënëse. Të gjitha këto janë të realizueshme, mjafton përpjekja jonë dhe besimi i patundur te Zoti ynë. Ne mundemi! Allahu e bëftë këtë vit më të mbarë e më të suksesshëm për të gjithë! Amin!

Qani Sulku

/Drita Islame/

You must be logged in to post a comment Login