10 herë në Shtëpinë e Zotit

Asije Zela, është një zonjë e cila ka shkruar 9 herë në Haxh dhe këtë vit bëhet e 10-ta herë. Ajo përshkruan me emocion herën e parë, përshtypjet dhe emocionet e para, të këtij udhëtimi të paharrueshëm të cilin ajo dëshiron ta kryejë për çdo vit. Kjo është edhe dëshira e saj më e madhe. Ajo është një zonjë intelektuale e cila ka lëvizur në vende të ndryshme të botës në udhëtime turistike, por sot kur e pyesin  se ku ajo dëshiron të shkojë për pushime, ajo përgjigjet qartë dhe prerazi, nuk dua të shkoj asgjëkund, dua të shkoj vetëm në Haxh.

nga Ferit LIKA

asije zela (3)

 

Historia e një familjeje çame

Ishte viti 1944, kur një familje nga Margëlliçi i Çamërisë, vendos të largohet nga vendi i tyre për shkak të masakrës që po kryenin grekët mbi myslimanët e asaj krahine. Ata largohen dhe fillimisht u vendosën në Konispol. Shqipëria e asaj kohe ishte në periudhën më të vështirë të saj, sapo kishte mbaruar lufta dhe vendi ishte tërësisht i rrënuar e i shkatërruar dhe familja  Kasemi e cila kish qenë një familje “Jatrenjsh” (doktorësh), kishin braktisur sarajet dhe pasurinë e tyre për të rifilluar nga hiçi një jetë të re në Shqipëri. Kështu për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike ata lëvizin shpesh herë, nga Konispoli në Sarandë, më pas në Delvinë, Berat, Kavajë, Durrës dhe për t’u vendosur përfundimisht në Tiranë, pranverën e vitit 1951. “Familja ime ka migruar nga Çamëria për në Shqipëri si të gjithë çamët tjerë të cilët u dëbuan dhe largimi ynë ka qenë vetëm për arsye fetare, për të ruajtur fenë dhe besimin tek Zoti.”

Ata ishin një familje me tradita fetare, një familje myslimane të cilët i ndiqnin me fanatizëm ritet e fesë së tyre. “Gjyshi i  nënës time Haxhi Braho ka shkuar 9 herë në  Qabe, në atë kohë kur shkohej me karvan dhe udhëtimi zgjaste me muaj të tërë. Babai i nënës time ka studiuar në Turqi ka mbaruar medresenë. Nënat tona kanë bërë mejtep në Çamëri se aq u lejohej atëherë, lexonin kuranin, faleshin dhe agjëronin dhe kanë qenë të veshura me veshjen myslimane për t’i hequr më pas gjatë regjimit komunist. Gjyshja ime ishte 100 vjeç dhe ka agjëruar deri në ditën e fundit, nuk e ka lënë asnjëherë agjërimin, ndërsa namazi u reduktua nga vetë koha, regjimi diktatorial i atëhershëm. Kush qëndronte në shtëpi falej, kush shkonte në punë pjesërisht”. Edhe pse duket sikur u harrua, komunizmi i la pasoja të rënda këtij populli, që vazhdon ti vuajë edhe sot e kësaj dite.

Personazhi i këtij reportazhi a rrëfimi është një prej trashëgimtarëve të kësaj familjeje, Asije Kasemi (Zela). Familja e Pasho Kasemit është e madhe dhe përbëhet prej 13 fëmijësh, 7 motra dhe 6 vëllezër. “Një motër e kemi në Amerikë që është 10 vjet më e vogël se unë, të tjerët janë këtu në Tiranë, merren me profesione të ndryshme, por disa janë në mjekësi, nuk e kemi lënë pas profesionin e vjetër të familjes. Nuk jemi martuar të gjithë me çam, por jemi trazuar”, tregon Asija.

Ajo ka mbaruar studimet për Kimi Industriale në vitet ’68 -’72. Bashkëshortin e saj Mustafa Zelën e ka njohur në punën ku punonte, edhe aty (te bashkëshorti) ajo gjeti një familje myslimane. “Kur erdha te burri edhe këtu gjeta një familje tironse me tradita myslimane. Gjimnazi Kristoforidhi që është sot, ka qenë xhami dhe quhej Xhamia e Zelëve. Edhe rruga e tregut çam këtu ka qenë e quajtur rruga e Zelve, ne kemi bërë kërkesë në Bashki që ti vendoset sërish ai emër. Vjehrri im Hasan Zela ka mbaruar në Turqi ka qenë familje e pasur dhe xhaminë e kanë ndërtuar Zelajt prandaj ka marrë atë emër. Kur kam ardhur këtu si nuse e re, kam gjetur vjehrrën mbi 80 vjeç dhe ajo agjëronte. Ka jetuar 100 vjet dhe asnjëherë nuk e la agjërimin, kishte bërë mejtep.

Kur erdhi koha e regjimit komunist kemi agjëruar shumë më rrallë, me dit, jo të gjithë ramazanin, pasi ishim në punë dhe na kuptonin. Tani me ardhjen e demokracisë u hapën dyert e fesë dhe njerëzit filluan të agjërojnë e të falin namaz rregullisht pa frikë. Në shtëpinë tonë ka qenë traditë feja edhe te unë praktikimi i ritualeve ka ardhur gradualisht. Nëna vazhdimisht na ka folur për besimin.”

Një ndër ata të cilët kanë ndikuar në forcimin e besimit të Asija është edhe nën Direni siç tregon ajo: “Shkonim për Mevlud të nënë Direni, korçare dhe kur shkonim te ajo grisnim çarçafë të vjetër dhe i vendosnim si shami dhe shkonim e dëgjonim Mevlud. Ajo e kish mësuar përmendësh dhe e këndonte në arabisht. Ajo kishte një nur, ishte e aftë t’i mbante grave shumë gjatë leksion për fenë. Ajo thoshte: ‘Falënderoni Zotin, kërkoni falje, ndihmë, me fjalët e tuaja’. Si e si të na nxiste dhe të na fuste në gjak dashurinë për besimin dhe Zotin. Ne shkonim me qejf e thonim: Ka mevlud të nën Direni. Shkonim shpesh në vende të ndryshme. Ajo këndonte mevludin pastaj na shpjegonte për fenë.”

E ndërsa sot Asija bashkë me shoqet e saj pasi falin Xhumanë mblidhen në kafe dhe diskutojmë rreth atyre çfarë tha hoxha në xhami.  Ato lëvizin shpesh dhe shkojnë pothuajse në të gjitha xhamitë e Tiranës.

Haxhi i parë

Asije Zela, është një zonjë e cila ka shkruar 9 herë në Haxh dhe këtë vit bëhet e 10-ta herë. Ajo përshkruan me emocion herën e parë, përshtypjet dhe emocionet e para, të këtij udhëtimi të paharrueshëm të cilin ajo dëshiron ta kryejë për çdo vit. Kjo është edhe dëshira e saj më e madhe. Ajo është një zonjë intelektuale e cila ka lëvizur në vende të ndryshme të botës në udhëtime turistike, por sot kur e pyesin  se ku ajo dëshiron të shkojë për pushime, ajo përgjigjet qartë dhe prerazi, nuk dua të shkoj asgjëkund, dua të shkoj vetëm në Haxh.

asije zela (1)

Asija tregon se cili ishte shkaku që ajo shkoi për herë të parë në haxh në vitin 2003: “Një natë Ramazani u mblodhëm për iftar në shtëpinë time, pasi ashtu mblidheshim shpesh, motra dhe vëllezër, dhe kalonim një Ramazan shumë të mirë.  Atë natë vëllai më jep një kalendar që ia kishte dhënë një shok dhe tha po ta jap ty se po t’ia jap ndonjë tjetri do ta hedhin në një qoshe. Unë e marr dhe e fus në një kuti suvenir që qëndronte mbi tavolinë. Kur njerëzit u larguan, unë fillova të pastroj vendin.  E pastrova dhe thashë: ore të gjitha i pastrova po këtë kutinë mbi tavolinë pse s’e fshiva pak dhe po thoja ta hap njëherë çfarë ka brenda se s’po më kujtohej. E hap dhe shoh kalendarin që më dha Baçi dhe filloj duke e lexuar. Aty lexoj lutjen “Lebejk allahume lebejk”

“Lebbejke-Allahume lebbejk. Lebbejke la sherike leke lebbejk. Innel-hamde uen-nia’mete leke uel-mulk. La sherike lek.”

“T’u përgjigja, Allahu im, t’u përgjigja! Ti nuk ke ortak! T’u përgjigja, lavdia dhe të mirat janë të Tuat, po ashtu dhe pasuria dhe pushteti! Ti nuk ke ortak!

Pas kësaj ajo i thotë djalit dhe vendos që të marrë edhe motrën e saj, kështu ato fillojnë përgatitjet për “udhëtimin e jetës”. Asija tregon se fillimisht edhe pse po shkonte nuk kishte ndonjë ndjesi të madhe shpirtërore, apo ndonjë emocion të veçantë, surpriza për të ishte kur u gjend përballë derës së Qabes, Shtëpisë së Shenjtë. “Do shkoja por nuk kisha ndonjë ndjesi të madhe shpirtërore. Na sjell goca e motrës nga Amerika veshjet myslimane, por ne nuk dinim as si t’i lidhnim i hodhëm ata shamitë ashtu si shall dhe me pantallona u nisëm për haxh. Aty gjetëm shumë shoqe nga xhamitë. Kur futëm në hapësirën ajrore të vendeve arabe na thanë në avion, nuk ka për të zbritur njeri nga avioni pa i veshur veshjet, kështu u veshëm si u veshëm në avion. Zbresim në Xhideh dhe aty morëm autobusët për te hotelet. Të nesërmen në mëngjes do të shkonim në Qabe, kur jam futur në derën e Qabes lotët më rridhnin rrëke, pa vetëdije, emocione të mëdha. Thashë o Zot çfarë mrekullie bëre që më solle mua këtu, ishte e jashtëzakonshme.”

Ajo shpjegon se emocionet dhe përshpirtëshmëria kishte arritur kulmin si asnjëherë tjetër në jetën e saj, por gjithashtu ajo është edhe tepër realiste kur thotë: “nuk ishim të përgatitur për Haxh, nuk i dinim mirë rregullat dhe unë jam borxhlie vetes. Do të bëj edhe një Haxh për vete, sepse nuk është njësoj si herën e parë, unë sot kam mësuar shumë dhe dua t’a realizoj tamam”. Edhe pse ka qenë 9 herë, vetëm një herë e ka bërë për vete, të tjerat ka qene “Bedel”, për njerëzit e saj të afërt, të cilët kanë ndërruar jetë pa shkuar në Haxh.

Asija ndërsa tregon për përballjen e saj të parë me shtëpinë e Zotit, sytë i mbushen me lot, lot gëzimi: “Është një emocion i brendshëm, të rrëqethet trupi të rrjedhin lotët, as vetë njeriu nuk  di dhe nuk mundet ta shpjegojë atë që ndjen kur shkon atje. Si ritual fizikisht është shumë i lodhshëm, por mirësitë shpirtërore fshijnë çdo lodhje e mundim.  S’do t’ia dish a ke fjetur gjumë apo a ke ngrënë apo jo bukë. Të mjafton të rrish në Qabe 24 orë nëse ka mundësi, të bësh të gjithë ritualet sa më mirë. Një ndjenjë e rrallë, të shtohet besimi dhe thua e gjithë bota është islame? Aq shumë njerëz ka aty, e gjithë bota ka ardhur këtu? Nuk e beson së në vende të tjera ka njerëz të tjerë, të duket sikur kanë ardhur të gjithë aty. Dhe fjala që dëgjon më tepër aty është sabër (durim) pasi ka një mbipopullim. Kemi ardhur për hir të Allahut thonë, kemi ardhur për t’i bërë dua Zotit, t’i kërkojmë falje. Nuk të shihte njeri me sy tjetër të gjithë ndiheshim njëlloj, të barabartë. I ri e plak, Allahu ka mbledh mosha të ndryshme, raca të ndryshme, nivele të ndryshme, para Tij jemi të gjithë të barabartë. Tani po të më pyesësh se ku do që të shkosh me pushime, them me çoni vit për vit në Qabe dhe s’dua asgjëkund tjetër. Falënderoj Zotit që ma mundësoi vajtjen në Haxh dhe që shkoj vit për vit që prej 10 vjetësh tashmë, sepse jo gjithkujt i jepet kjo mundësi.”

Ajo nga viti në vit mundohet të rrisë nivelin e besimit dhe të njohurive, pasi siç thotë dhe ajo Feja është ulje e ngritje. Por Asija nuk shkon vetëm. Ata janë një grup shoqesh që shkojnë vazhdimisht dhe bëjnë adhurim edhe më tepër se sa ç’është rituali i Haxhit, sepse është vetë dëshira, – tregon Asija, -nuk ke të ngopur me adhurimet në shtëpinë e Zotit, në kuptimin të rrish sa më shumë në Qabe të bësh tavaf sa më shumë, të lexosh të falesh, t’i kërkosh falje Allahut, pasi sa hapa hedhim aq gjynahe bëjmë.

Pas ritualit në Meke mbaron haxhi dhe njerëzit shkojnë në Medine atje gjejnë një qetësi të jashtëzakonshme, njerëzit luten, lexojnë, falen. Atje është varri i profetit, atje është shtëpia e tij, atje mes minberit dhe varrit është një prej lulishteve të xhenetit. Aje janë varrezat e sahabëve.

“Një herë kur ishim në Haxh dhe kur po shkonim nga Meka në Medine, shoferi i autobusit ishte sirian dhe ishte hafiz Kura’ni, na ka mbajtur gjatë gjithë rrugës me këndim kurani dhe u kënaqëm pasi nga Meka në Medine zakonisht të gjithë haxhinjtë flenë gjumë (ajo rruge zgjat (5-6 orë, 500 km)”, tregon e emocionuar Asija.

Rruga për nga Meka në Medinë është autostradë e gjerë që shkon mespërmes shkretëtirës dhe anash rrugës majtas e djathtas ka xhami, rreth xhamisë ka markete, dyqane lokale. Namazi i Sabahut dhe Jacia zakonisht falen rrugës. Autobusi me haxhinjtë  ndalon në xhamitë që janë anash. Gjatë gjithë rrugës dalin njerëz që u japin ushqim haxhinjve. Janë pasanikë apo edhe njerëz të thjeshtë që vendosin të japin sadaka për hir të Allahut. Dalin para autobusit dhe japin pako me ushqime të përgatitura. Nga kjo rrugë haxhinjtë mund të marrin 4-5 herë ushqim, ujë zemzemi, kjo ndodh disa herë, deri sa shkojnë në Medine. Është një kohë që të gjithë haxhinjtë nisen për në Medine, të gjithë shkojnë në qytetin e Profetit. Edhe pse kjo nuk është pjesë e ritualit të Haxhit ata nuk mund të kthehen kurrsesi pa vizituar edhe qytetin dhe xhaminë e profetit.

Në të dy qytetet në Mekë dhe Medinë të gjithë ata që kanë shkuar në haxh nuk lënë pa përmendur pastërtinë dhe rregullin e jashtëzakonshëm që ekziston atje. Edhe kur pastrohet vendi gjatë kohës që ato janë duke kryer ritualet nuk e kuptojnë fare pasi aq shpejt dhe pa u ndjerë bëhet kjo gjë.

“Sa herë shkoj në haxh aq më shumë më shtohet dëshira për të shkuar sërish lutja që bëj gjithmonë atje është: “O Zot më bëj që të kthehem sërish”. Lutem dhe them o Zot e gjithë pasuria e Zelve shkoftë në rrugë të Allahut”, tregon 62 vjeçarja Asije Zela.

Shoqet e Islamit

Ato janë pesë shoqe, të pandashme, ato i bashkon një e vërtetë e madhe, besimi, besimi në Zotin Një të Vetëm, ato i bashkon islami, ato i bashkojnë ritualet e fesë.

asije zela (2)

Zajde Mazreku është 71 vjeç, edhe ajo është çame, ajo flet më shumë nga të gjitha dhe ka një sens të vazhdueshëm humori.

“Kam qenë për herë të parë në Haxh si e ftuara e mbretit dhe jam kënaqur kaq shumë. Kam qarë pafund dhe mendoja se a u bëra unë që të vij  e të shihja Mekën? Kur jam kthyer u kam thënë njerëzve ç’i doni pasuritë, ç’i doni shtëpitë, vetëm bëni rrugën e Haxhit, gjë më të bukur nuk ka. Edhe sot kur shkoj në xhami u them grave ç’i doni shtëpitë sa këtu sa atje, a ka mundësi të shkoni në haxh, haxhi është gjëja më kryesore që një mysliman duhet të bëjë, për arsye se e fut njeriun në rrugën e drejtë edhe unë nëse kam qenë pak me dyshim në besim më është forcuar kaq shumë sa s’ka. Lum ai që shkon, është një mrekulli e rrallë. Nëse shkon njëherë si kur të thërret vendi: Hajde prap, hajde prap, hajde prap, ta hapet zemra. Unë kam shkuar dy herë në haxh e një herë në umre dhe them ka mundësi ta shes shtëpinë dhe të shkoj sërish”, tregon plot emocion ajo. Nënë Zajdeja që prej 22 vjetësh shkon rregullisht në xhami, pesë herë në ditë.

Mes tyre është edhe një nënë edhe më e moshuar, shkodranja Behije Zanaliu, e cila nuk ka shkuar ende në haxh dhe ajo shpreson që të shkojë sa më shpejt një ditë, jemi të varfër thotë s’ kemi mundësi.

Ndërsa Refije Borakaj është një tjetër zonjë çame e cila edhe pse fjalëpakë, karakterizohet nga eleganca dhe finesa në komunikim. “Qysh kur e kam lexuar për herë të parë në libër që çdo mysliman e ka për detyrë të shkojë në haxh një herë në jetë, ia vura kusht vetës që duhet të shkoj dhe ma pruri Zoti mbarë. Kam qenë vetëm njëherë në 2011. Është një lumturi dhe emocion i jashtëzakonshëm, është si të prekësh qiellin me dorë. Haxhi ishte ëndrra ime dhe i falem Zotit që më dha mundësinë për të  vënë kokën në sexhde në shtëpinë e Tij. Lutem për gjithë shqiptarët, që Zoti t’i udhëzojë, edhe fëmijët tanë brez pas brezi, dhe të kemi një qeveri të udhëzuar inshAllah, që të eci edhe ky vend njëherë e mirë”, thotë Refija.

Me e ndrojtura mes shoqesh për të folur dhe ndoshta më modestja është Fatime Kazazi. Ajo tregon se si Haxhi e futi atë në rrugën e Islamit.

Kam qenë në haxh për herë të parë në vitin 2008, ndërsa vjet isha për Umre. Asija më propozoi a do vish për haxh dhe e pranova me qejf dhe me dëshirën më të madhe. Besimin te Zoti e kisha, por nuk bëja ritualet, nuk falesha, kur u ktheva fillova namazin. Kur kam shkuar atje jam habitur dhe m’u duk sikur e gjithë bota ishte myslimane e s’kishte fe tjetër. U mahnitëm duke parë ato vende, u kish dhuruar Zoti një pasuri të madhe natyrore dhe shpirtërore. Jam falur gjithë kohën duke i lexuar, deri sa i mësova. Kam shkuar për Umre vjet dhe ka patur më shumë njerëz sesa për haxh. Kemi ndenjur në xhami, vetëm për të fjetur kemi shkuar në hotel”, tregon nxitimthi Fatimeja.

Të mbledhura në shtëpinë e Asijes, teksa pinë  kafenë e pasdites ato flasin me emocion, tregojnë përjetimet dhe ndonjë ndodhi për të qeshur që kanë kaluar gjatë qëndrimit në vendet e shenjta, përmendin vazhdimisht edhe Rehanën një tjetër shoqe e cila ndodhet jashtë vendit. Teksa rrufisin gllënjkën e fundit të kafesë bashkë me perëndimin e diellit, lind edhe shpresa se, do Zoti do të shkojnë sërish, ashtu së bashku, në Shtëpinë e Zotit.

 

(Revista Drita Islame, Tetor 2013)

 

 

You must be logged in to post a comment Login